<

Ditët e Erasmus dhe Projekti REACH

Nga data 9 Tetor e deri në 14 Tetor u kremtuan globalisht ditët e Erasmusit, 6 ditë, një mundësi unike për të organizuar një event dhe për të ndarë përvojat e partnerëve të projektit REACH – një projekt i mbështetur nga Komisioni Europian dhe EACEA për ngritjen e kapaciteteve të Institucioneve të Arsimit të Lartë në Shqipëri në fushën e kërkimit, ruajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si partner institucional, si dhe me partnerët evropianë të Universitetit Almamater Studiorum të Bologna-s, Universitetit :Carlo Bo" të Urbino-s, Fondacionit Flaminia (Itali) si dhe të Shkollës Superiore të Ruajtjes dhe Restaurimit të Trashëgimisë Kulturore në Pontevedra Spanjë.

Dita e Erasmus 2023 në Universitetin e Arteve Tiranë u organizua me 14 Tetor 2023, u regjistrua në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian dhe bashkoi mesazhet e saj me Ceremoninë Përmbyllëse të Shkollës Ndërkombëtare Verore të Projektit REACH, e cila u zhvillua nga data 1 deri 14 Tetor 2023 pranë Lektoriumit Tonin Harapi të Universitetit të Arteve.

Përveç fjalës së rastit në kuadër të Ditëve të Erasmus, mbajtur nga Koordinatori i Projektit REACH, Prof. Pjetër Guralumi, në këtë kremtim u paraqitën projektet e punuara dhe të realizuara nga pjesëmarrësit e Shkollës Verore të REACH, studentë të universiteteve partnere si Universiteti i Arteve dhe Universiteti Politeknik Tiranë, Universiteti Luigj Gurakuqi Shkodër, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore të Kampusit të Ravenna-s së Universitetit Alma Mater Studiorum i Bologna-s, Shkollës Superiore të Ruajtjes dhe Restaurimit të Trashëgimisë Kulturore të Pontevedra-s Spanjë.

Studentët, të ndarë në grupe miksë, i paraqitën këto projekte për të pranishmit duke i dhënë tipare të një bashkëpunimi ndërkombëtar të dëshmuar praktikisht që në grupin e tyre kërkimor-shkencor, si në metodologjinë e punës së tyre, ashtu edhe për natyrën e prezantimeve të cilat ndoqën dy modele të dokumentimit.

Nga njëra anë patëm një paraqitje që ndoqi rrjedhën kohore të zhvillimit të shkollës verore, të leksioneve, praktikave dhe gjetjeve apo sugjerimeve për projektet e tyre ndërhyrëse, kurse nga ana tjetër patëm një paraqitje e cila ndoqi konceptin e natyrës së përmbajtjes së punës si dhe vëzhgimeve të tyre intensive e studimore gjatë shkollës verore.

Shpërndarja e Certifikatave të pjesëmarrjes për studentët e Shkollës Ndërkombëtare Verore të Projektit REACH ishte një nga momentet më shpërblyese të dy javëve të fundit si edhe të vetë ditës së shënuar, jo vetëm për punën e tyre por edhe për personelin kërkues shqiptar, italian dhe spanjoll, të cilët mbështetën me ekspertizën dhe përvojën e tyre të rinjtë shqiptarë e evropianë në këto dy javë të para të Tetorit.

Drejtuesit shkencorë të kësaj shkolle ndërkombëtare verore, Prof. Asoc. Dr. Belisa Muka, Dr. Aurora Dibra, si dhe personeli akademik, Prof. Mariangela Vandini, Prof. Fabio Planu, Dr. Brikena Shkodra Rrugia, Dr. Sabina Veseli, Dr. Mikel Temo, Prof. Entela Daci, Prof. Alvaro Arizaga, Prof Pablo Porral, Francesca Gasparetto, MSc Fjoralba Përzhita, Arianna Buffagni dhe Angela Graziano, ndanë me studentët jo vetëm prezantimet e temave të përzgjedhura, leksionet praktike dhe rastet studimore si në laboratore të mbyllura ashtu edhe në objektet e trashëgimisë kulturore në sitet e tyre si në Parkun Arkeologjik të Apollonisë, Kalave të Shkodrës dhe të Krujës, Muzeun e Fotografisë Marubi, Muzeun Arkeologjik të Akademisë së Studimeve Albanologike, duke i aftësuar ata me metodologji kërkimore e diagnostikuese, procedura ndërhyrjeje konservuese e restauruese, për një të ardhme të tyre profesionale e kërkimore shkencore.

Vetë eventi i Ditëve Erasmus 2023 i organizuar në mjediset e Universitetit të Arteve duke u bashkuar me synimin për një Evropën që “ndrin” në këtë Vit Evropian të Aftësive, nënvizoi rëndësinë e diversitetit kulturor evropian si dhe të mundësisë që ai ofron për të mësuar gjithnjë më shumë.

#ErasmusDays në Universitetin e Arteve, si konkluzion e Shkollës Ndërkombëtare Verore të Projektit REACH, u bë një mundësi ideale që pjesëmarrësit të zbulojnë kultura të reja, të forcojnë shprehitë e tyre gjuhësore dhe ndërkulturore, të rrisin mundësinë e punësimit si dhe të përqafojnë vlerat e tolerancës, respektit dhe diversitetit.