<

Andrea Canaj

Universiteti i Arteve, me hidhërim të thellë, njofton ndarjen nga jeta të pedagogut të kornos, Andrea Rrapo Canaj. Andrea u shua sot në moshën 59 vjeçare pas një lufte me Covid 19 të cilin nuk arriti ta mposhtte dot.

Andrea Canaj ka lindur në Tiranë më 24.08.1961. Ai përfundoi Liceun Artistik “Jordan Misja” në vitin 1980 në klasën e pedagogut Dhimitër Gjergji dhe studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) në vitin 1996 në klasën e pedagogut Kristofor Qorri. Gjatë të gjithë periudhës së edukimit të tij, ai mori pjesë në të gjitha aktivitetet e organizuara nga shkolla ku u dallua për punën, talentin dhe aftësitë e tij premtuese.

Pasi përfundoi studimet e larta, Andrea punoi në një sërë institucionesh artistike, si në Orkestrën Simfonike të Ansamblit të Ushtrisë, në orkestrën Simfonike të Teatrit të Operas dhe Baletit, në Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit si dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në Orkestrën e Re Filarmonike “Ibrahim Madhi”, në Filarmoninë e Kosovës apo edhe në shumë formacione të tjera simfonike duke luajtur për shumë vite kornon e parë në këto orkestra.

Andrea ka drejtuar disa projekte të ndryshme artistike si brenda dhe jashtë vendit si “International Apolonia Fest”, “International Albanian Brass Festival” dhe ishte pjesëtar i disa ansambleve të dhomës si “Kuintetit Zadeja”, “Trio Gea”, “Horns Ensemble” etj.

Në aktivitetin e tij artistik, ka një numër të madh koncertesh brenda dhe jashtë vendit në të cilat kontributi dhe cilësitë e Andreas si korno i parë apo si solist, kanë qenë shumë evidente.

Andrea ka dhënë një kontribut të çmuar dhe të gjithanshëm edhe në aspektin pedagogjik duke hartuar dhe rinovuar programet mësimore për degën e kornos mbi baza bashkëkohore dhe duke e udhëhequr këtë degë që nga viti 1993 si pedagog i këtij instrumenti në Fakultetin e Muzikës të Universitetit të Arteve, ashtu si edhe në Fakultetin Arteve të Prishtinës, në Konservatorin e Epirit Janinë, e kudo që kërkohej eksperienca e tij.

Universiteti i Arteve i shpreh ngushëllimet familjarëve, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe admiruesve që e duartrokitën gjatë të gjithë karrierës.