<
Thirrje - Projektet Filmike të Studentëve të UART
THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI për financimin e filmave të diplomës
Universiteti i Arteve – në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK),
në mbështetje të Nenit 22 të rregullores përkatëse të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, shpallet procesi për financimin e filmave të diplomës për studentët e programeve Bachelor dhe Master, sipas marrëveshjeve në fuqi.
Studentët përfitues duhet të jenë të regjistruar në një nga programet e studimit Bachelor ose Master, në një nga universitetet që kanë marrëveshje bashkëpunimi me QKK-në.
Projektet aplikojnë në QKK nëpërmjet një Shtëpie Kinematografike (SHK) dhe një Producenti të kategorisë A ose B.
Hapi 1 - Shprehja e interesit nga Shtëpitë Kinematografike:
Shtëpitë Kinematografike të interesuara duhet të shprehin interes pranë Universitetit të Arteve në adresën e email-it:
Afati i fundit për shprehjen e interesit është data 19 Mars, 2026.
Nëpërmjet shprehjes së interesit, Shtëpia Kinematografike deklaron se pranon dhe do t’u përmbahet kushteve të kësaj thirrjeje të publikuar në faqen zyrtare të Universitetit të Arteve.
Kriteret për Shtëpinë Kinematografike:
- Të jetë subjekt juridik i themeluar dhe me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, i regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), si dhe pranë QKK për vitin kalendarik.
- Të ketë realizuar të paktën 1 (një) vepër të financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
- Të disponojë pajisje teknike të inventarizuara ose marrëveshje që garantojnë prodhim dhe pasprodhim filmik, të cilat do t’i vihen në dispozicion realizimit të filmave të diplomës si kontribut në natyrë (in kind).
- Të shprehë interes pranë Universitetit të Arteve. Më pas, nëpërmjet një procesi votimi nga vetë studentët, të monitoruar nga Universiteti dhe një përfaqësues i QKK, do të përzgjidhet vetëm 1 (një) SHK.
Aplikimi i SHK-së me filmat e diplomës, si një projekt i vetëm, kalon për miratim në KMP, por nuk i nënshtrohet votimit të pikëzuar.
Kriteret për Producentin:
- Në këtë kategori ka të drejtë të aplikojë vetëm Producenti i kategorisë A ose B, sipas Rregullores së QKK-së.
Dosja e aplikimit me kriteret e mësipërme duhet të dorëzohet pranë Fakultetit të Artit Skenik të Universitetit të Arteve brenda datës 24 Mars, 2026.
Hapi 2 - Shqyrtimi administrativ i dosjeve
Do të ngrihet një komision i përbashkët me anëtarë nga Universiteti i Arteve dhe QKK, për shqyrtimin administrativ të të gjitha dosjeve të paraqitura, bazuar në kriteret e përcaktuara më sipër.
Hapi 3 - Procesi i votimit
Dosjet që përmbushin kriteret administrative do të kalojnë për votim.
Nëpërmjet një procesi votimi nga vetë studentët, të monitoruar nga Universiteti i Arteve dhe një përfaqësues i QKK, do të përzgjidhet vetëm 1 (një) Shtëpi Kinematografike.
Hapi 4 - Dokumentacioni që dorëzohet pranë QKK nga SHK e përzgjedhur
Shtëpia Kinematografike e përzgjedhur sipas votimit të studentëve duhet të dorëzojë pranë QKK dokumentacionin e detyrueshëm për aplikim:
- Formularin e aplikimit
- Kërkesën për financim
- Preventivin financiar të zhvillimit të projektit
- Planin kalendarik të realizimit të projektit
- Skenarët
- Sinopset e shkurtra (5 rreshta)
- Përmbledhjen e skenarëve (deri në 2 faqe)
- CV-në e SHK-së, ku të pasqyrohen vlerësime me çmime dhe/ose konkurrim zyrtar në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare për filmat paraardhës, nëse ka
- CV-në e Producentit, ku të pasqyrohen vlerësime me çmime dhe/ose konkurrim zyrtar në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare për filmat paraardhës, nëse ka
- CV-të e Skenaristëve
- CV-të e Regjisorëve
- Vërtetim nga QKB-ja për statusin aktiv
- Vërtetim për shlyerjen e taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, sipas legjislacionit në fuqi
- Certifikatë të Gjendjes Gjyqësore për administratorin e subjektit, të lëshuar pas shpalljes së thirrjes
- Bilancin vjetor të dy viteve të fundit
- Kopje të inventarit të pajisjeve teknike që disponon SHK
- Deklaratën e SHK-së për kushtet e aplikimit
Hapi 5 - Miratimi në KMP
Aplikimi i SHK-së me filmat e diplomës, si një projekt i vetëm, kalon për miratim në KMP pranë QKK, por nuk i nënshtrohet votimit të pikëzuar.

