<

Ikjet janë gjithmonë të hidhura, por ikjet e papritura e të parakohshme dhembin edhe më tepër! Një njeri i madh dhe artist i shkëlqyer, një pedagog i zoti si Gjergj Xhuvani vendosi ta bëjë ikjen e tij vetëm dhe larg të gjithë atyre që ka dashur dhe e kanë dashur pafund. Njëlloj sikur nuk donte të shqetësonte askënd, njëlloj sikur t'u jepte të gjithë atyre një shans që ta kujtojnë vetëm në jetë!

Gjergji erdhi nga drita, i dha dritë perdes së kinemasë, ju përcolli përvojën e tij studentëve të tij dhe kur vendosi të ulë perden e tij në këtë epilog të trishtë, la kaq shumë dritë me artin e tij.

Skenarist e regjisor, profesor e producent filmi, artist me titullin e madh Njeri, Gjergj Xhuvani është një dhembje e madhe; është një ikje pa largim! Është shpirti i shqetësuar që do të jetojë mes personazheve të tij që ka përjetësuar në filma dhe atyre që nuk mundi dot t'i bëjë film!

Me fatin nuk luftohet dot, por Gjergj Xhuvani ishte një fat i mirë për artin dhe shkollën shqiptare të filmit, që nga sot nuk do të kenë më një nga kolosët, të cilit nuk iu desh të ikte për të kuptuar sesa shumë e kanë dashur të gjithë!!!!

Mirënjohje i dashur profesor për të gjithë kontributin Tuaj ndaj filmit dhe studentëve që patën fatin të edukohen profesionalisht nga ju!