Takim me Zv. Ambasadorin e Izraelit në UART
Në datë 18 Mars, në zyrën e Rektorit të Universitetit të Arteve u zhvillua një takim midis Rektorit, Prof. Petrit Malaj dhe zv. Ambasadorit të Ambasadës, Izraelite z. Tsach Saar.
Zoti Rektor shprehu kënaqësinë tij dhe dëshirën që ky takim të mund të konkretizonte më tej raportet dhe bashkëpunimet midis UART dhe institucioneve kulturore apo universiteteve në Izrael.
Zoti Saar tregoi shumë interes për kuptuar më mirë se si Universiteti i Arteve është i organizuar, fakultetet, departamentet si dhe programet e studimit që ajo ka, gjithashtu një interes të veçantë për zv. Ambasadorin Izraelit kishte aspekti financiar si dhe mënyra e menaxhimit të tij.
Më pas u diskutua më konkretisht mbi mundësitë e bashkëpunimeve dhe ndihmesën që kjo ambasadë do të mund të siguronte për UART duke mundësuar kontaktet e institucioneve kulturore në Izrael të cilat potencialisht mund të krijojnë bashkëpunime me UART, duke sjellë emra të shquar, specialistë të fushave të ndryshme të artit për të performuar si dhe zhvilluar workshop-e në UART, apo duke krijuar terrenin e favorshëm për pedagogët, studentët tanë për ta prekur më nga afër realitetin izraelit duke shpalosur realitetin shqiptar, nëpërmjet realizimit të shkëmbimeve të studentëve, organizimit të ekspozitave të ndryshme, shfaqjes së filmave me metrazh të shkurtër, pjesëmarrjeve në koncerte apo konkurse të zhvilluar në Izrael etj.
Një ndër projektet më të afërta që zv. Ambasadori z.Saar shprehu ishte zhvillimi i një konkursi me studentët e departamentit të grafikës në FAB, konkurs ky i cili do të kishte për qëllim zgjedhjen e logos më të mirë e cila do të përdorej me rastin e 25 vjetorit të ndërtimit të marrëdhënieve midis Shtetit Izraelit dhe atij Shqiptar.
Më pas Rektori Prof. Malaj shoqëroi zv. Ambasadorin Izraelit për të parë më nga afër fakultetet, sallat, galerinë FAB si dhe bibliotekën e UART.
Foto