Ekspozita “Coexistence: for a new Adriatic Koinè”
Universiteti i Arteve Tiranë dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë organizojnë Ekspozitën Ndërkombëtare “Coexistence: for a new Adriatic Koinè”, financuar nga Programi Europian IPA Adriatic CBC 2007/2013.
Kjo Ekspozitë, në të cilën do të marrin pjesë 25 artistë të arteve të bukura nga Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Italia (Rajoni i Venezia-s dhe Rajoni i Puglia-s) është pjesë e aktiviteteve të përfshira në Projektin "ArTVision – A Live Art Channel".
“Coexistence” do të përurohet me datë 1 Gusht, ora 19:00 në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, e ashtuquajtura Piramida.
“Coexistence: for a new Adriatic Koinè” është një ekspozitë në pesë “përthyerje” në vende e territore të ndryshme për të pohuar konceptin e një Koinè-je artistike, një gjuhë të përbashkët e cila synon të kthejë identitetet territoriale në dinamika të marrëdhënieve, të hapjeve dhe ballafaqimeve artistike.
Idea shtysë e kësaj ekspozite përpiqet të strukturojë një dialog të ngushtë mes kombeve ndërkufitare përmes një operacioni kulturor me qëllim gjetjen artistike të elementëve që bashkojnë dhe dallojnë popujt që ndajnë pjesën adriatike e të ashtuquajturit “mare nostrum”, siç e cilësonin Mesdheun autorët klasik.
Artistët e përzgjedhur në këtë ekspozitë itinerante përballen me histori, rrëfime, mite dhe legjenda, spiritualizma dhe besime, emigrim dhe nomadizëm, duke përforcuar idenë e një europianizmi të përbashkët që shpesh harrohet.
Ata janë:
- SHQIPËRI - Endri Dani, Sulejman Fani, Ilir Kaso, Alketa Ramaj, Anila Rubiku;
- MALI I ZI - Irena Lagator, Igor Rakcevic, Jelena Tomaševic, Jovana Vujanovic, Nataljia Vujoševic;
- KROACI - Gildo Bavcevic, Fokus Groupa, Ana Husman, Nika Rukavina, Davor Sanvincenti;
- ITALI (VENETO) - Giulia Maria Belli, Chiara Bugatti, Enej Gala, Annamaria Maccapani, Francesca Piovesan;
- ITALI (PUGLIA) - Dario Agrimi, Sarah Ciracì, Gianmaria Giannetti, Francesca Loprieno, Giuseppe Teofilo.
Hapësirat ku do të instalohet “Coexistence: for a new Adriatic Koinè:
Në Tiranë, ekspozita do ta ketë hapësirën e saj komunikuese në mjediset e brendshme të Piramidës, një nga simbolet e periudhës diktatoriale e cila, edhe sot, është në qendër të një situate komplekse e cila mundëson një atmosferë interesante mes pikturave, skulpturave, instalacioneve, video artit dhe video instalacioneve.
Më tej Coexistence do të zhvendoset sipas skemës së mëposhtme:
- Mali i Zi Cetinje – Galeria Kombëtare e Arteve
- Kroaci Rijeka – Muzeu i Arteve Moderne dhe Bashkëkohore
- Venezia – Magazzino del Sale (Magazina e Kripës)
- Puglia Polignano a Mare, Bari – Fondacioni Muzeu i Artit Bashkëkohor “Pino Pascali”
Periudhat kohore kur “Coexistence: for a new Adriatic Koinè” do të jetë e vizitueshme do të jenë si më poshtë:
- Shqipëri 01-24 gusht 2014
- Mali i Zi 05 shtator – 01 tetor 2014
- Kroaci 20 nëntor – 06 dhjetor 2014
- Venezia 20 dhjetor 2014 – 18 janar 2015
- Polignano a Mare 31 janar – 01 mars 2015
Kuratorë të ekspozitës në Tiranë janë: Roberto Lacarbonara për Fondacionin Pino Pascali, Ardian Isufi për Ministrinë e Kulturës dhe Vladimir Myrtezai për Universitetin e Arteve.
Partnerët në projektin ArTVision drejtohen nga Regione Puglia - Area Politiche per la Promozione del Territorio, dei Saperi e dei Talenti, me mbështetjen e Apulia Film Commission, që përfshijnë: Fondazione Pino Pascali Museo d'Arte Contemporanea; Regione del Veneto - Direzione Attività culturali e Spettacolo; Accademia di Belle Arti di Venezia; Ministria e Kulturës e Malit të Zi, Fakulteti i Artit Dramatik të Cetinje – Mali i Zi; Ministria e Kulturës e Shqipërisë; Universiteti i Arteve Tiranë – Shqipëri; Primorje Gorski Kotar dhe Kanal RI – Kroaci.