<

Simpoziumi shkencor ndëruniversitar

Simpoziumi shkencor ndëruniversitar “Perspektiva e marrëdhënieve mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit Aristoteli i Selanikut”, mbajtur më 23 Qershor 2014, erdhi si nje vazhdimësi e konferencës shkencore mbajtur në Universitetin Aristotel në Selanik në muajin Prill te këtij viti.

Ky simpozium vjen si një mjet për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimeve aktuale mes universiteteve si dhe për krijimin e lidhjeve dhe bashkëpunimeve të reja.
Sikurse u shpreh dhe Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Petrit Malaj “Shqipëria ka përjetuar ndryshime të rëndësishme, sidomos vitet e fundit, të cilat janë reflektuar dhe në Arsimin e Lartë Shqiptar. Implementimi i Kartës së Bolonjës është pjesë e këtyre ndryshimeve, duke ndikuar ndjeshëm dhe në Universitetin e Arteve.
Si çdo risi dhe ky implementim barti vështirësi, por çka është e rëndësishme janë të mirat e përfituara në zhvillimin, përmirësimin e cilësisë së punës akademike, artistike dhe kërkimore, krijimin e lidhjeve të reja të bashkëpunimit me institucione homologe në Evropë dhe më gjerë, pjesëmarrja aktive dhe përfaqësimi në seminare e aktivitete ndërkombëtare….”

Rektori Malaj ishte ftuar në këtë simpozium për të përshëndetur punimet e këtij simpoziumi si dhe miqtë akademikë nga Selaniku duke qenë se Universiteti i Arteve ka dhe një marrëdhënie bashkëpunimi me këtë Universitet të rëndësishëm grek që prej vitit 2010, si pjesëmarrja me punë të studentëve dhe pedagogëve në ekspozitën e përvitshme të Akademive të Arteve të Bukura Ballkanike në Muzeun e Fondacionit Teloglion ne Universitetin Aristotel të Selanikut, si dhe së fundmi Universiteti i Arteve është përfshirë në grupin e partnerëve me Universitetin e Selanikut për realizimin e një projekti të Erasmus +.

Të pranishëm në simpoziumin shkencor ndëruniversitar ishin Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule, Rektori i Universitetit “Aristotel” Selanik, Prof.Dr. Yannis Mylopoulos, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Znj. Lindita Nikolla, Ambasadori i Greqisë në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij Z. Leonidas C.Rokanas, Rektori i Universitetit të Politeknikut, Jorgaq Kaçani, Rektori i Universitetit të Arteve, Petrit Malaj, si dhe dekanë dhe staf akademikë nga Universiteti i Tiranës dhe ai i Selanikut.


Foto Galeri