Vizita në Universitetin e Seviljes
Në datat 20 – 24 Maj 2014, Prof. Petrit Malaj, Rektor i UART, Prof. Asoc. Artan Peqini, Dekan i FAB dhe Prof. Asoc. Genc Mulliqi, Përgjegjës i Departamentit të Skulpturës në FAB, zhvilluan një vizitë pune në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Seviljes, në kuadër të marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit të nënshkruar në Shkurt 2014 dhe me ftesë nga drejtuesi i këtij institucioni. Gjatë kësaj vizite u zhvilluan takime me homologët e Universitetit të Seviljes, Spanjë, si dhe u bënë prezantime mbi aktivitetet e të dy universiteteve me qëllim konkretizimin e marrëveshjes.
Në takimin e datës 21 Maj 2014, u zhvillua një takim në sallën e konferencave të Fakultetit të Arteve të Seviljes, ku krahas përfaqësuesve të Universitetit të Arteve të Tiranës ishte prezent dhe ish-studenti i Fakultetit të Arteve të Bukura të Universitetit të Arteve në Tiranë, skulptori Kujtim Halili, tanimë me statusin e studentit në Fakultetin e Arteve të Bukura të Seviljes në ndjekje të studimeve pasuniversitare.
Nga Fakulteti i Arteve të Bukura të Universitetit të Seviljes ishin prezent Prof. Carrasco Gimena, Dekane e Fakultetit, Bueno Vargas Javier, Zv.Dekani për marrëdhëniet me jashtë, Prof. Jose Maria Sanchez, Përgjegjës Departamentit, si dhe profesorët Alberto German dhe Guliermo Martinez.
Gjatë këtij takimi, midis Rektorit Prof. Petrit Malaj dhe Dekanes Prof. Carrasco Gimena u ra dakort për bashkëpunime në këto drejtime:
- Rritjen e kontakteve të stafeve akademike për të bashkëpunuar në projekte të përbashkëta si partner në programet Erasmus+ dhe Tempus etj.
- Fakulteti i Arteve të Seviljes do të asistojë në programet dhe përvojën e saj në hapjen e studimeve të ciklit III të Doktoraturës në FAB.
- Rishikimi i mundësisë së asistencës nga FA e Seviljes për zhvillimin e një cikli leksionesh mbi restaurimin, me qëllim hapjen në të ardhmen e një program studimi mbi restaurimin.
Gjatë takimit Dekani, Prof. Asoc Artan Peqini, bëri një prezantim të UART si dhe të programeve të studimit të FAB.
Ky takim zgjati përgjatë paradites dhe pasdites të kësaj dite.
Në takimin e dt. 22 Maj 2014, i cili filloi në orën 10.30, delegacioni nga UART të shoqëruar nga Përgjegjësi Departamentit, Prof. Jose Maria Sanchez, dhe pedagogët Prof. Guliermo Martinez dhe Alberto German, zhvilluan një vizitë të detajuar nëpër sallat dhe atelierët e Fakultetit.
Gjatë kësaj vizite u kontaktua me pedagogët dhe asistencën teknike të atelierëve te: 1- skulpturës, 2- pikturës, 3- grafikës, 4- restaurimit, 5- laboratorin e fonderisë së bronzit dhe materialeve të tjera.
Pas dreke, kjo vizitë u mbyll me një tjetër takim me autoritetet e Fakultetit, të cilët shkëmbyen katalogë dhe materiale të tjera njohëse.
Në datë 23 Maj paradite, delegacioni u shoqërua në një vizitë në Muzeun e Arteve të Bukura të Seviljes, një muze me koleksion të artit pamor kryesisht spanjoll nga periudha mesjetare deri në fillim të shekullit 20. Pas kësaj vizite mbresëlënëse, u ra dakort që pala spanjolle do të mundësojë në të ardhmen një vizitë në UART në Tiranë, për të njohur më nga afër institucionin si dhe më pas intensifikimin e marrëdhënieve me qëllim rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik.
Foto Galeri