Projekti arTVision
ArTVision – A Live Art Channel është një projekt ndërkufitar midis Italisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë i cili ka në fokus Artin Bashkëkohor me marrëdhëniet e ndërsjellta të tij me produktet audiovizuale origjinale, me qëllim qarkullimin e këtyre vlerave përmes një kanali transmedial komunikimi. Ky projekt e shikon punën në rrjet si një nga elementët thelbësorë të garantimit të realizimit të objektivave të përcaktuara nga hartuesit e tij dhe të aprovuar nga të gjithë partnerët në projekt.
Leader Partner i këtij projekti është Rajoni i Pulias (Regione Puglia) i cili, në cilësinë e partnerit institucional ka ngritur një strukturë të kombinuar të partnerëve institucionalë e teknikë në secilin shtet pjesëmarrës: nga Puglia partneri teknik është Fondacioni – Muzeu i Artit Bashkëkohor Pino Pascali; partneri tjetër italian është Regione Veneto (partner institucional) dhe Accademia delle Belle Arti di Venezia (partner teknik); nga Kroacia - Qarku i Primorje Gorski Kotar (partner institucional) e Kanal RI (partner teknik); nga Mali i Zi - Ministria e Kulturës (partner institucional) dhe Fakulteti i Artit Dramatik (partner teknik); nga Shqipëria, Ministria e Kulturës (partner institucional) së bashku me Universitetin e Arteve (partner teknik).
- Ekspozita “Art in Port” do të organizohet në qytetet portuale të partnerëve të projektit dhe do të ketë në përbërje të saj gjithsej 25 punime (5 për secilën hapësirë partnerësh) duke u nisur nga Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Venecia dhe Puglia.
- Nga 5 punimet që do të përzgjidhen, 2 deri në 3 punime duhet të jenë në video, kurse për veprat e tjera duhet të mbahet në konsideratë transportueshmëria e tyre.
- Mund të marrin pjesë në aplikimin për pjesëmarrje në këtë ekspozitë të rinjtë studentë të fakultetit të arteve bukura, të rinj të diplomuar pranë këtij fakulteti si dhe artistë të tjerë të interesuar, në moshë jo më të madhe se 40 vjeç.
- Punimet që mendohet të paraqiten mund të jenë krijime të reja ose edhe ekzistuese të autorit/autores.
- Në aplikim, kandidatët duhet të paraqesin një curriculum vitae, foto ose përshkrim të veprës që mendojnë të paraqesin.
- Përzgjedhja e punimeve do të realizohet nga ana e Muzeut të Artit Bashkëkohor – Pino Pascali në datë 8 Prill 2014, pranë mjediseve të Fakultetit të Arteve të Bukura të Universitetit të Arteve Tiranë.
- Afati i fundit për të aplikuar online për regjistrimin e pjesëmarrjes është data 6 Prill 2014, ora 14.00.
- Aplikimet e paplota ose jashtë instruksioneve të mësipërme nuk do të merren në konsideratë.
- Adresa email për aplikim është: artvision-al@uart.edu.al