Aktiviteti i pervitshem artistik URA ME TRI HARQE
Universiteti i Arteve ka mirëpitur aktivitetin e përvitshëm artistik “Ura me Tri Harqe”.
Ky është një ndër aktivitet më të rëndësishme kulturore-artistike ku tre institucione të hapësirës mbarë shqiptare, Universiteti i Arteve në Tiranë, Fakulteti i Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe Fakulteti i Arteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës, një herë në vit, sjellin punimet më të mira të degëve të ndryshme të artit të realizuara nga studentë dhe pedagogë të këtyre institucioneve.
Ky event u zhvillua në datat 20- 21 Maj 2013 në ambientet e Universitetit të Arteve në Tiranë, Salla e Madhe, Galeria FAB, Black Box.
Historia e këtij bashkëpunimi midis institucioneve artistike të Prishtinës, Tetovës dhe Tiranës është e gjatë dhe mund të themi me plot gojën se ka qenë e natyrshme dhe e frytshme, jo vetëm në kuadrin institucional por edhe në realizimin e mjaft projekteve të përbashkëta artistike e kulturore si dhe në njohjen, ballafaqimin dhe shkëmbimin e eksperiencave profesionale ndërmjet pedagogëve dhe studentëve të të tre institucioneve. Vlen të theksohet se një pjesë e pedagogëve të Fakulteteve të Arteve në Prishtinë e Tetovë janë diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë, të cilët, po japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin dhe unifikimin në një mënyre apo tjetër të programeve dhe kurrikulave në shkollat respektive. Një ndihmesë të rëndësishme kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin drejtuesit e fakulteteve përkatëse të cilët kanë mirëpritur dhe organizuar këtë aktivitet vitet e kaluara në Prishtinë e Tetovë.
Në këtë edicion të Urës me Tri Harqe, jemi përpjekur bashkërisht të sjellim më të mirën e shkollave tona për t’i paraqitur publikut një aktivitet të pasur, të larmishëm dhe të një niveli të lartë artistik e profesional. Aktiviteti ishte i ngjeshur, i pasur dhe i shtrirë përgjatë gjithë ditës (paradite dhe pasdite) duke përfshirë: ekspozitën e arteve të bukura, shfaqjen e filmave me metrazh të shkurtër, shfaqje teatrale si dhe koncert të përbashkët simfonik, me pjesëmarrjen e mbi 100 studentëve dhe pedagogëve nga Tirana, Prishtina dhe Tetova.
Ne kemi punuar fort që ky bashkëpunim i cili ka pasur një impakt të rëndësishëm në të gjitha edicionet e tij në Tiranë, Prishtinë e Tetovë, të vazhdojë këtë rrugë dhe të zhvillohet më tej duke përfshirë edhe institucione të tjera të arsimit të lartë artistik në të tre vendet.
Duke i uruar studentëve, pedagogëve dhe grupit të koordinatorëve që punuan për realizimin e këtij programi, publiku është mirëpritur për të ndjekur këtë event të rëndësishëm mbarë-shqiptar.
Foto Galeria