<

Vizite Zyrtare ne Institucione te Artit ne Serbi

Gjatë datave 09 dhe 10 Maj 2013, Rektori i universitetit të Arteve, Prof. Petrit Malaj, së bashku me pedagogun e Fakultetit të Muzikës, Prof. Bujar Sykja, ishin të ftuar në disa takime zyrtare në institucionet të artit në Serbi.

Në datë 09 Maj 2013, Rektori Prof. Malaj dhe Prof. Sykja patën takim në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Novi Sad në Serbi me Dekanin e këtij Fakulteti, Prof. Zoran Krajisnik, dhe Përfaqësuesen e Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë, Znj. Kristina Koprivsek.

Pas prezantimeve të dy shkollave nga drejtuesit respektivë, u fol më konkretisht mbi mundësitë e bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve. Për të lehtësuar komunikimin e bashkëpunimit u ra dakord që do të firmoset një Memorandum Mirëkuptimi midis dy Universiteteve, të Novi Sad dhe UART që më pas të vendosen dhe marrëveshje të drejtpërdrejta me Fakultetin e Arteve për bashkëpunime të dy-anshme.
Propozim konkret dhe i menjëhershëm, pas vizitës në të tre departamentet, ishte mundësia e pjesëmarrjes së studentëve të FAB të UART në një Biennale të organizuar nga Universiteti i Novi Sad për Postera, Fotografi, etj.

Në datë 10 Maj 2013, Rektori Prof. Malaj dhe Prof. Sykja vazhduan takimet zyrtare në Universitetin e Arteve në Beograd ku ishin prezent Rektorja e Universitetit, Prof. Dr Ljiljana Mrkic Popovic, Zv.Rektori, Dr. Dimitrije O. Golemovic, Dekania e Fakultetit të Muzikës, Dr. Duhruvka Joviclc Ma., si dhe Dekani i Fakultetit të Arteve Pamore, Prof. Milutin Dragojllovic.
Duke qenë se UART është në proces hapje të ciklit të tretë të studimeve, shkollën e doktoraturës, në takim u diskutua gjatë edhe për ciklin e tretë të studimeve, i hapur në këtë Universitet që prej vitit 2006, si dhe për projekte të përbashkëta të mundshme në të ardhmen.
Një projekt i afërt është mundësia e aplikimit të 4-5 studentëve nga Universiteti i Arteve të Tiranës në shkollën verore në Universitetin e Arteve të Beogradit.

Gjithashtu një projekt tjetër i mundshëm brenda vitit 2013 është dhe organizimi i një ekspozite të përbashkët të Arteve Figurative në periudhën Tetor-Nëntor në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve të Tiranës. Gjatë kësaj periudhe parashikohet dhe një vizitë në UART e Rektores së Universitetit të Arteve të Beogradit.

Po në datën 10 Maj në mbrëmje në orën 20:00, Rektori i UART, Prof. Petrit Malaj, dhe Pedagogu i Fakultetit të Muzikës, Prof. Bujar Sykja, ishin të ftuar në Koncertin e Orkestrës së Filarmonisë të Beogradit. Këtu Rektori Prof. Malaj dhe Prof. Sykja patën rastin të takohen edhe me krye-menaxherin e kësaj Orkestre, Z. Tasovac , ku ndër të tjera me interes ishte mundësia që nëpërmjet këtij institucioni UART të aplikojë për një projekt të përbashkët mes Tiranës, Beogradit, Ljubjanës, Zagrebit. Për këtë arsye u vendosën dhe kontaktet me personat përgjegjës për projektin.


Foto Galeri