<

Universiteti i Arteve zhvillon analizën vjetore

Universiteti i Arteve ka zhvilluar në datën 16 janar 2013 analizën vjetore të veprimtarisë akademike, shkencore e artistike si dhe të veprimtarisë administrative për vitin 2012. Referimi i paraqitur prej Rektorit të universitetit të Arteve, Prof. Petrit Malaj, u bë në sallën e rikonstruktuar së fundmi të Lektoriumit, në një mbledhje të hapur, në të cilën morën pjesë, pedagogë e studentë të këtij Universiteti, anëtarë të Senatit Akademik e Këshillit të Administrimit, si dhe anëtarë të Këshillave të Fakulteteve.

Në paraqitjen e tij, Rektori i UART bëri një përshkrim të aspekteve kryesore të veprimtarisë akademike të Universitetit të Arteve, duke vënë theksin në mënyrë të veçantë në përmirësimin e strukturës së personelit akademik dhe ndarjen e këtij personeli sipas kategorive të përcaktuara me akte nënligjore, duke marrë si bazë nevojat e Fakulteteve për pedagog me tituj akademik, në shërbim të përmbushjes së veprimtarive të parashikuara në secilin program studimi. Rektori vlerësoi punën e Këshillave të Profesorëve, veprimtaria e të cilëve solli si rezultat që një numër i madh pedagogësh të UART të merrnin tituj akademik, duke rritur kualifikimin e tyre.

Një pikë e rëndësishme e fjalës së Rektorit ishte veprimtaria e Bibliotekës shkencore, e cila realizon një gamë të gjerë shërbimesh për përfituesit kryesorë, studentët e pedagogët, duke rritur cilësinë e ofertës akademike të Universitetit të Arteve. Në këtë këndvështrim Rektori vlerësoi punën e bërë në drejtim të aplikimit të teknologjive të reja, të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimeve ndaj përfituesve kryesor, si dhe nxiti punën e strukturave përgjegjëse për vazhdimin e përpjekjeve për evidentimin dhe vënien në jetë të mundësive më të shumta për këta përfitues.

Për sa i përket aspekteve financiare, analiza vjetore përfshin një sërë treguesish buxhetor, të cilët në tërësinë e tyre, kanë treguar për një administrim të kënaqshëm të buxhetit të flokuar, duke nxjerrë në pah gjithashtu edhe nevojën për fonde më të shumta me qëllim përmbushjen e politikave të zhvillimit të përfshira në strategjinë afatmesëm dhe atë afatgjatë të Universitetit të Arteve.


Foto nga aktiviteti