<

Marreveshja e bashkepunimit

Më 12 Tetor 2012, Rektori i Universitetit të Arteve në prani të studentëve dhe pedagogëve të Universitetit nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Giffoni Experience, pikërisht me Drejtorin Artistik Z.Claudio Gubitosi.

Giffoni ka filluar aktivitetin si një festival filmi për promovimin dhe zhvillimin e Filmit në Jug të Italisë. Ky aktivitet u zgjerua në të gjithë Italinë, e më pas në Evropë dhe në Botë. Sikurse shprehet dhe Prof. Malaj në fjalën e tij:

"Ne duhet të njohim meritat e veçanta të Giffoni Film Festival dhe Z. Gubitosi për bërjen të njohur të kinemasë shqiptare për fëmijë që nga viti 1985, duke promovuar në të njëjtën kohë artin dhe kulturën e popullit shqiptar.
Sot, marrëveshja që po nënshkruajmë së bashku me z. Gubitosi synon vendosjen e urave të bashkëpunimit mes nesh, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave, përfshirjen e studentëve e pedagogëve në veprimtari artistike e të përbashkëta, kontribute në ngritjen e kapaciteteve, etj."


Z.Gubitosi falënderoi Rektorin, Prof.Malaj, për komplimentet dhe mikpritjen. Ai vuri në dukje punën e mirë të studentëve shqiptarë, të cilët vërtet dallojnë në grupet e të rinjve.

Me këtë rast Z. Gubitosi dorëzoi dhe diplomat për tre studentë shqiptarë pjesëmarrës në Master Class në Giffoni Film Festival, Korrik 2012, Eros Çaushi, Geris Filipi dhe Parid Andoni.



Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Prof. Petrit Malaj dhe Z. Claudio Gubitosi bënë një takim në zyrën e Rektorit ku u diskutua edhe më konkretisht mbi pikat e bashkëpunimit të dy institucioneve.