Mbledhja e pare e Senatit Akademik 2012-2016
Më datë 12/03/2012 në Universitetin e Arteve u mbajt mbledhja e parë e Senatit Akademik për periudhën 2012-2016, ku i pranishëm ishte edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Myqerem Tafaj, i cili prezantoi Rektorin e zgjedhur të Universitetit të Arteve, Prof. Petrit Malaj.
Rektori mbajti fjalën e hapjes, ku fillimisht shprehu kënaqësinë dhe falenderoi për praninë e zotit Ministër, dhe më pas shprehu urimet për anëtarët e Senatit si dhe Dekanët e zgjedhur të Fakulteteve. Në fjalën e tij Prof. Malaj paraqiti vizionin për Universitetin e Arteve ku u shpreh:
“Vizioni ynë për Universitetin e Arteve ravijëzohet në këto drejtime kryesore:
- Përmirësimin e mëtejshëm të cilësisë së infrastrukturës ndërtimore, me synimin madhor vënien në rrugën e përmbushjes së rikonceptimit infrastrukturor të Universitetit të Arteve.
- Përmirësimin e ofertës akademike dhe ngritjen e laboratorëve mësimore për çdo program studimi.
- Fuqizimin e karakterit shkencor në procesin mësimor dhe kualifikimin e pedagogëve.
- Përmirësimin e shërbimeve ndaj studentëve.
- Krijimin e modelit të administrimit ekonomiko-financiar, duke synuar në aplikimin e metodologjive bashkëkohore për sigurimin e financimeve jo-buxhetore, në kuadër të skemës së re të financimit të IAL-ve.
Drejtimet e mësipërme janë të mundshme për tu përmbushur nëpërmjet nismave që do të ndërmarrim sëbashku gjatë 4 viteve të ardhshme....”
Më tej Prof. Malaj vazhdoi me objektivat për realizimin e vizionit të Universitetit të Arteve.
Ministri i Arsimit, Prof. Dr. Myqerem Tafaj, pasi iu dha fjala nga Rektori shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen e tij në këtë mbledhje dhe gatishmërinë për të qënë i pranishëm në aktivitete të ndryshme të Universitetit tonë.
"Universiteti i Arteve si një Universitet Elitar", u shpreh Ministri i Arsimit, "do të ketë gjithmonë vëmendjen dhe mbështetjen e Mistrisë dhe Qeverisë në arritjen e objektivave në përmirësimin e cilësisë së edukimit arsimor."
Foto Galeri