Vizita ne Akademine e Arteve
Znj. Ann Rukov, Atashe e Kulturës pranë Ambasadës Ruse në Tiranë së bashku me Kryetarin e Fondacionit të Studios “Grekov” në Moskë, piktorin Aleksandër Smirnov, vizitojnë Akademinë e Arteve.
Ditën e premte, më datë 17 Qershor 2011, ishte i ftuar për një vizitë në Akademinë e Arteve Atasheja e Kulturës pranë Ambasadës Ruse, Znj. Ann Rukov. Ky takim u realizua menjëherë pas një letre që Rektori i Akademisë së Arteve, Prof. Petrit Malaj, i drejtoi Ambasadorit të Federatës Ruse në Shqipëri, Z. Leonid Abramov. Bashkëpunimi dhe rigjallërimi i marrëdhënieve mes Akademisë së Arteve dhe institucioneve homologe në Rusi përbënte thelbin e kësaj letre.
Në këtë vizitë, Znj. Ann Rukov shoqërohej nga Z. Aleksandër Smirnov, Kryetar i Fondacionit të Studios “Grekov” në Moskë, anëtarë të së cilës janë emra të shquar të pikturës dhe skulpturës Ruse.
Rektori i Akademisë së Arteve, Prof. Petrit MALAJ, bëri një prezantim të Akademisë se Arteve duke ju referuar historikut, infrastrukturës dhe ndaloi veçanërisht tek Fakulteti i Arteve të Bukura. Më pas Dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura, Prof. Asc. Sadik Spahija dhe Shefi i Departamentit të Pikturës, Prof. Fatmir Miziri, shoqëruan të ftuarit në Fakultetin e Arteve të Bukura dhe Galerinë FAP, duke bërë një prezantim të atelieve dhe të programeve që ofron ky fakultet.
Gjatë bisedës mes Rektorit MALAJ dhe Z.Smirnov, duke patur gjithashtu dhe mbështetjen e Ambasadës së Federatës Ruse, u shpreh vullneti i përbashkët për organizimin e disa workshop-eve të piktorëve dhe skulptorëve anëtarë të studios “Grekov”.