<

Vizita ne Akademine e Arteve

Ditën e enjte më datë 9 Qershor, 2011 ishte i ftuar për një vizitë në Akademinë e Arteve Zv. Shefi i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. Niles Cole.

Rektori i Akademisë së Arteve Prof. Petrit MALAJ gjatë takimit me Z. Niles COLE, shprehu vlerësimin për marrëdhëniet dhe vëmendjen që Ambasada e SHBA-së ka shpërfaqur ndaj Akademisë së Arteve. Më pas Rektori bëri një prezantim të Akademisë së Arteve duke ju referuar historikut, infrastrukturës dhe ndaloi veçanërisht tek programet e reja që ofron Akademia e Arteve, tashmë Universiteti i Arteve, në kuadër të Sistemit të Bolonjës.

Nga ana e tij, Z. Niles COLE duke vlerësuar artin si një nga elementet e rëndësishëm në edukimin e brezit të ri, theksoi veçanërisht rolin e Akademisë së Arteve si një institucion i edukimit kulturor. 

Më pas Z. COLE u shoqërua në një tur prezantimi të mjediseve të Akademisë së Arteve . Ai vizitoi të tre fakultetet dhe zhvilloi biseda me Dekanët e tyre për t’u njohur më nga afër më proceset mësimore , artistike si edhe problematikat që hasen gjatë këtyre proceseve.

Vizita u finalizua me inagurimin e Ekspozitës “Grafik Art” hapur nga studentët e Atelierit të Grafikës pranë Galerisë FAP. Z. Cole shprehu interesin e tij për artet e bukura dhe vlerësoi punët e studentëve.

Gjatë bisedës mes Rektorit MALAJ dhe Z. COLE u shpreh vullneti i përbashkët për tu dhënë mundësinë një grupi profesorësh dhe studentësh të vizitojnë disa muzeume dhe galeri në SHBA, për të prekur nga afër realitete të reja artistike e profesionale.

Z. Cole - Zv. Shef i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës -  përfundoi vizitën e tij duke këkuar të informohet mbi kalendarin e aktiviteteve kulturore në Akademinë e Arteve.
 

 
 

<<Previous - Next>>