<

Prof. Hufschmidt vizitoi Akademine e Arteve

Prof. Wolfgang Hufschmidt pas akordimit të dekoratës "Për Merita të Veçanta Civile" nga Presidenti i Republikës, shprehu dëshirën të vizitonte edhe një herë Akademinë e Arteve.

Prof. Hufschmidt së bashku me bashkëshorten e tij u pritën në një vizitë miqësore nga Rektori Akademisë së Arteve,  Prof. Petrit Malaj, dhe kolegë te tjerë.

Rektori i Akademisë së Arteve theksoi vlerat e tij të jashtëzakonshme në mbështetjen e institucioneve muzikore në Shqipëri, vecanërisht Akademisë së Arteve.
Prof. Hufschmidt falenderoi për këtë vlerësim dhe shprehu konsideratat më të larta për vlerat e artit muzikor shqiptar si edhe për punën akademike, studimore e artistike që bëhet në Akademinë e Arteve.

Fragment nga përshëndetja e Prof. Petrit Malaj gjatë ceremonisë së dekorimit:

"Në emër të Akademisë së Arteve, stafit të pedagogëve dhe gjithë studentëve tanë, jam shumë i nderuar sot që të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tonë më të thellë për personalitetin, punën dhe kontributin që Prof. Wolfgang Hufschmidt dhe shkolla e lartë e muzikës në Essen dhanë për gati 14 vjet, në periudhën 1990-2004, në mbështetje të Akademisë së Arteve në Tiranë dhe të zhvillimeve bashkëkohore të muzikës shqiptare.

Falë këtij bashkëpunimi shumë ciëlësor që garantohej në rradhë të parë nga vlerat e jashtëzakonshme të personalitetit të Prof. Hufshcmidit si kompozitor, muzikolog dhe drejtues, Akademia e Arteve në Tiranë u bë një laborator shkëmbimi idesh dhe përvojash, aktivitetesh dhe leksionesh në fusha si kompozicioni, muzikologjia, historia e arteve, interpretimi në vegla muzikore, krahas specializimeve në mënyrë të pandërprerë të pedagogëve tanë në shkollën e Essenit në Gjermani, si dhe dhjetra e qindra librave dhe botimeve të ndryshme si dhuratë për pasurimin e bibliotekës së Akademisë së Arteve, etj.

I dashur Prof. Hufshcmidt,

Pa u zgjatur më tej, ky dekorim shumë i merituar i bërë për Ju nga Presidenti i Republikës Prof. Dr. Bamir Topi, në fakt është një çast reflektimi për të gjithë ne për të kuptuar se rruga e gjatë e integrimit Europian në fushën e artit dhe kulturës do të ishte sot e pamundur, nëse gjatë këtij rrugëtimi nuk do të ndeshnim njerëz dhe artistë të shquar si JU, të cilët na ndriçuat këtë rrugë me dashurinë dhe vlerat Tuaja të jashtëzakonshme.

Ju faleminderit për gjithshka keni bërë për ne dhe ju uroj shëndet të mbarë dhe jetë të gjatë!"


Prof. Wolfgang Hufschmidt, kompozitor dhe profesor i muzikës, ka qenë gjate viteve 1991-2003 Drejtor i Shkollës "Folkwang" në Essen, Gjermani. Gjatë kësaj kohe ai ka mbështetur në mënyra të ndryshme institucionet muzikore të Shqipërisë të cilat ndodheshin në një fazë shumë të vështirë. Një sërë konferencash, simpoziume e seminare u organizuan me përpjekjen e tij. Përmes ndërmjetësimit të tij shumë studentë shqiptarë kanë mundur të studiojnë në Essen ose në qytete të tjera. Gjithashtu ai ka ndihmuar Akademinë e Arteve dhe Shkollën e Muzikës në Tiranë me materiale mësimore të shumta.