<

Presidenti Topi viziton Akademinë e Arteve

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi përshëndeti hapjen e vitit të ri akademik të arsimit të lartë 2009-2010, duke vizituar Akademinë e Arteve në Tiranë prej nga u uroi të gjithë studentëve shqiptarë, kudo ku ata studiojnë, një vit të mbarë në aulat e fakulteteve. I shoqëruar nga anëtarë të kabinetit dhe Rektori i Akademisë, Petrit Malaj së bashku me tre dekanët e fakulteteve Presidenti Topi zhvilloi një takim me studentë dhe pedagogë.

Kreu i shtetit shqiptar nderoi Akademinë e Arteve me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me këtë motivacion: “Në shenjë mirënjohjeje për të gjithë brezat që kontribuan në krijimin e historikut të këtij institucioni të arsimit të lartë, që ka patur ndër vitë radhët e profesionistëve të aftë e të personaliteteve me reputacion të spikatur në fushën e artit, Brenda dhe jashtë vendit”.


Në emër të Akademisë së Arteve, përshëndeti Rektori Petrit Malaj, i cili falenderoi Kreun e Shtetit shqiptar për këtë nderim të lartë e të veçantë që po i bën një institucioni kaq të rëndësishëm të arsimit të lartë dhe plejadave të artistëve shqiptarë, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar ndër vite për arsimimin dhe përgatitjen profesionale të brezave të rinj.



FJALA PËRSHËNDETËSE E PLOTE REKTORIT TË AKADEMISË SË ARTEVE , PROF. PETRIT MALAJ.

I nderuar Z. President,
Të nderuar kolegë profesorë dhe staf akademik,
Të nderuar studentë, të nderuar miq dhe të ftuar,

Më lejoni, që sot në ditën e parë të fillimit të vitit akademik të shpreh kënaqësinë time të madhe dhe padyshim edhe të gjithë stafit tonë dhe të studentëve për praninë e Presidentit të Republikës, sot, këtu mes nesh. Sot, për të gjithë ne është një ditë e veçantë, është hapja e vitit akademik që do të thotë rifillimi më me energji i atij proçesi metodiko-artiskik i cili e kthen institucionin tonë edhe për periudhën në vijim në një laborator të rëndësishëm të artit dhe debatit artistik profesional. Pra ky rifillim do të thotë më shumë studim, më shumë aktivitete artistike, më shumë diskutime dhe për rezulat më shumë produkt artistik.

I nderuar Z. President,
Të nderuar kolegë, studentë, miq dhe të ftuar,

Kur përmenda pak më parë atë zinxhir të gjatë për të arritur tek produkti artistik, kisha parasysh peshën e madhe që Akademia e Arteve ka në ambjentin kulturor kombëtar dhe përpjekja që ajo bën për ta ndërkombtarizuar këtë produkt. Dhe këtu nuk do të lija pa përmendur profesorët tanë të nderuar si: M.Krantja, A.Paparisto, R.Teqja, Y.Skënderi, G.Çako, Ç.Zadeja, T.Harapi, T.Daia, P.Jakova, K.Roshi, S. Pitarka, D.Pelingu,A.Malo. K. Spahivogli. P.Kanaçi, A.Alia, S. Shijaku, V. Kilica, K. Rama, Sh. Haderi, Th. Thomai, A.Zajmi etj, artiste të rëndësishëm të Muzikës, të Skenikut dhe atë të Arteve të Bukura që udhëhoqën gjithë këtë proces metodik e artistik të përkthyer në koncerte, shfaqje, ekspozita, takime dhe debate, aktivitete këto të një cilësie të lartë. Po ashtu nuk do rrinja pa përmendur dhe kontributin shumë të rëndësishëm të artistëve të një gjenerate më të re si I. Mula, J. Gjipali, G. Leka, S. Shijaku, T. Flloko, A. Ahmedaja dhe shumë të tjerëve të cilët janë bërë prezantuesit dinjitoz të Shqipërisë në Europë dhe më gjerë.

Aktualisht, Akademia e Arteve, ashtu si i gjithë sistemi universitar është në një periudhë transformimi të rëndësishëm, përsa i përket strukturave të saj, programeve të saj, pra i të gjithë kurrikulës. Ky është një process aspak i lehtë dhe shpesh i shoqëruar edhe me paqartësi. Megjithatë ne kemi hyrë në këtë rrugë si e vetmja, që do të na çojë në një model shkolle më të hapur e më të konvertueshme në botën e sotme globale. Por megjithatë në këtë rrugë kemi bërë përpjekje dhe do të vazhdojmë t’i bëjmë ato duke ruajtur specifikat e një proçesi metodiko-artistik që shpesh ka mekanizma më të ndërlikuar për t’i përshtatur me skema standarte.
Në këtë proces kemi patur dhe shpresojmë se do të kemi edhe në të ardhmen mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Aktualisht po punojmë për të realizuar disa projekte për përmirësimin e infrastrukturës tonë me mbështetjen e këtij institucioni, pra MASH.
Edhe vetë prezenca sot e Presidentit të Republikës dëshmon pikërisht këtë sensibilitet gjithnjë në rritje të institucioneve dhe shtetit Shqiptar për këtë pasuri kombëtare unikale siç është Akademia e Arteve.

Në përfundim të fjalës time më lejoni të theksoj Z. President, të nderuar miq e të ftuar, që duke filluar nga sot e tutje, ambjentet e kësaj shkolle do të jenë laboratorë të hapur ku çdo artdashës shqiptar ose jo, çdo ditë, çdo orë do të gjejë diçka interesante për të parë, dëgjuar e shijuar. Ftoj të gjithë ata artdashës të bëhen pjesë e kësaj shfaqje të madhe që ndodh në çdo klasë, atelier apo sallë tonën duke e bërë këtë pjesëmarrje pjesë të jetës së gjithsecilit nga ne.


Akademia e Arteve, 12 Tetor 2009

 


Link
  www.president.al