Broshura FAB

Pa Emer

Dy fjalë në vend të titullit

I gjithë problemi është qyteti. Qyteti është ndarja e legjitimuar e njeriut me truallin e tij parak, rrjedhimisht edhe me ngjyrat e këtij trualli. Çmimi i kësaj ndarjeje është i pa cak, për faktin se është i lidhur drejtpërdrejt me kohën, me jetën e njeriut në qytet, thënë ndryshe me qytetarin.

Nëse do isha i “detyruar” t’i vendosja një titull kësaj ekspozite, ai do ishte Në kërkim të ngjyrave të humbura, duke revokuar kështu veprën e jetës së Marcel Proust-it Në kërkim të kohës së humbur, pasi bëhet fjalë për të njëjtin thelb ontologjik dhe për të njëjtën semantikë. Me shpikjen e megalaboratorit që quhet kalimthi qytet, njeriu braktisi kohën si të tillë, për të hyrë pashmangshëm në kohën mekanike dhe dialektike njëherësh, që ndryshe mund të emërtohet edhe si Era Gri, për faktin se vetëm kjo ngjyrë mbizotëron, dhe çfarë është më e rëndësishmja jo vetëm sëjashtmi, por jo rrallë edhe sëbrendshmi. Prandaj, lidhja e harruar me ngjyrat e truallit parak sa vjen dhe e thellëson edhe më shumë domosdoshmërinë e rikthimit drejt këtij të fundit, si përplotësi identitare e qenies.

Edhe autori i këtyre pikturave, nuk bën gjë tjetër vetëm se gjakon e përshpirtet njëkohësisht, t’i përkujtojë shikuesit (j)etiken që ngërthejnë ngjyrat për të cilat po flasim, sadoqë ai është krejtësisht i bindur se një përpjekje e tillë është thjeshtë e pamundur, për faktin se “fatkeqësisht” ky është një imitim. E megjithatë kjo nuk do të thotë të mos e realizosh atë që është e mundur.


Autori



 

<< Previous - Next >>