Akreditimi i programeve master, FAB
Në kuadër të procesit të akreditimit të programeve në Universitetin e Arteve, këto ditë u mbajtën takimet me ekspertët e jashtëm për vlerësimin e 7 programeve të studimit të ciklit të dytë Master i Arteve në “Pikturë Kavaleti dhe Mësuesi”, Master i Arteve në “Pikturë Monumentale dhe Mësuesi”, Master i Arteve në “Pikturë Grafike dhe Mësuesi”, Master i Arteve në “Pikturë Tekstil & Modë dhe Mësuesi”, Master i Arteve në “Pikturë Multimedia dhe Mësuesi”, Master i Arteve në “Skulpturë dhe Mësuesi” dhe Master i Arteve në “Skulpturë Qeramikë dhe Mësuesi”, të Fakultetit të Arteve të Bukura.
Grupet e Vlerësimit të Jashtëm të huaj dhe vendas, janë ekspertë të fushës të përzgjedhur nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Larte dhe Bordi i Akreditimit, për kryerjen e vlerësimit të programeve të studimit. Vizitat u realizuan në Lektoriumin e Fakultetit të Arteve të Bukura, ku Grupet e Vlerësimit të Jashtëm u akomoduan përgjatë ditëve intensive të punës dhe kryen me sukses të gjitha takimet sipas agjendave te miratuara paraprakisht nga ASCAL.
Takimet e para i kryen Dekani i Fakultetit, Prof. Artan Peqini, Përgjegjësi i Departamentit të Pikturës, Dr. Mikel Temo, Përgjegjësi i Departamentit të Skulpturës, Prof. Sadik Spahija dhe Përgjegjësi i Departamentit të Arteve të Aplikuara, Dr. Ermir Hoxha, duke vazhduar më tej me Grupet e Vlerësimit të Brendshëm, Stafin Akademik, përfaqësuesit e studentëve dhe te gjitha strukturat e tjera mbështetëse.
Takimet përfunduan me vizita në ambjentet e Fakultetit, ku Ekspertët prekën nga afër punën, format e mësimdhënies sipas specifikave që ato mbartin, përkushtimin e stafit si dhe vizituan nga afër ambjentet, atelierët, laboratorët, Galerinë FAB dhe fasilitetet e tjera të krijuara për studentët.
Këto ishin takimet e fundit në kuadër të akreditimit të programeve në Universitetin e Arteve të cilat përmbyllën me sukses dhe me angazhim maksimal procesin e vlerësimit të jashtëm në Fakultetin e Arteve të Bukura, për 7 programet e studimit të ciklit të dytë Master që ky Fakultet ofron. Gjatë gjithë procesit ka patur bashkëpunim shume të mirë ndërmjet GVJ dhe UART, i cili iu përgjigj me rigorozitet të gjitha kërkesave brenda afateve të përcaktuara.
FOTO GALERI