<

Akreditimi i programeve në Fakultetin e Muzikës

Këtë javë u mbyllën me sukses takimet e radhës në Fakultetin e Muzikës për vlerësimin e programeve të studimit të ciklit të dytë, Master i Arteve në “Flaut dhe Mësuesi”, “Oboe dhe Mësuesi”, “Fagot dhe Mësuesi”, “Klarinetë dhe Mësuesi” dhe Master Profesional në “Pedagogji Muzikore dhe Mësuesi”.

Takimet mes Grupeve të Vlerësimit të Jashtëm dhe përfaqësuesve të Fakultetit për procesin e akreditimit të këtyre programeve u zhvilluan sipas agjendave të miratuara paraprakisht nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Takimin e parë me ekspertët e kanë mbajtur Dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Isak Shehu, Përgjegjësi i Departamentit të Interpretimit Prof. Arben Llozi dhe Përgjegjësi i Departamentit të KMDP-së, Prof. Asoc. Dorian Çene, duke vazhduar më tej me Grupet e Vlerësimit të Brendshëm, Stafin Akademik, studentët dhe struktura të tjera mbështetëse në UART.

Sipas agjendave, grupet e ekspertëve kryen disa vizita edhe në ambjentet e tjera të Fakultetit ku zhvillohet procesi mësimor i këtyre programeve, ashtu si edhe në Bibliotekën unike universitare, ku panë nga afër mënyrën e funksionimit të saj dhe infrastrukturën e teknologjisë elektronike, e nevojshme në shërbim të studentëve.

Anëtarët e Grupit të Vlerësimit të Jashtëm u sqaruan për çështje dhe kërkesa të ndryshme të ngritura gjatë takimeve dhe së fundmi shprehën falenderimet dhe vlerësimet e tyre në lidhje me organizimin e këtij procesi.

Fakulteti i Muzikës pret të finalizojë javën e ardhshme edhe takimet për 8 programet e fundit të ciklit të dytë Master.


FOTO GALERI