<

Marrëveshja UART - TK - MK

Ditën e Mërkurë, më datë 30 Mars 2022, në kuadrin e implementimit të “Paktit me Universitetin” në Universitetin e Arteve u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Artit Skenik, Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Ministrisë së Kulturës.

Objekti i kësaj marrëveshjeje është krijimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit më të ngushta dhe intensive në kuadër të “Paktit me Universitetin” ndërmjet Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe Fakultetit të Artit Skenik në Universitetin e Arteve, duke i konsideruar këto institucione partnerë në zhvillimin e kulturës së artit skenik.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti, Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Kastriot Çaushi, Dekani i Fakultetit të Artit Skenik, Prof. Petrit Malaj dhe Drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Z. Altin Basha.


Pas përfundimit të ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti e shoqëruar nga Rektori i Universitetit të Arteve, Prof. Kastriot Çaushi, vizituan ekspozitën personale të pedagogut të këtij universiteti, Prof. Asoc. Orion Shima të titulluar “THIS FALL”, e cila është aktualisht e hapur në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve.