<

Marrëveshja MK-QKK-UART

Më datë 03.03.2020, në kuadër të “Paktit me Universitetin” u realizua një tjetër Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Universitetit të Arteve, e cila u nënshkrua në ambientet e Sallës “Black Box” të Universitetit të Arteve, në prani të Ministres së Kulturës Znj. Elva Margariti, Rektorit të Universitetit të Arteve Prof. Kastriot Çaushi dhe Kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Z. Eduart Makri.

Kjo marrëveshje ka për qëllim ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet këtyre Institucioneve nё funksion tё zbatimit sa mё tё suksesshëm të “Paktit për Universitetin”, duke përcaktuar rregulla, përgjegjësi dhe detyrime konkrete për secilën nga palët.

Marrëveshja parashikon disa nga pikat si më poshtë:

  1. Angazhimin për të përcjellë të gjitha informacionet tek studentët si dhe përzgjedhjen për çdo vit akademik të studentëve të interesuar për praktikë pune pranë produksioneve filmike, garantimin e pjesëmarrjes sё studentёve nё aktivitete, shfaqje, forume e debate mbi kinematografinё, aktvitete këto të cilat organizohen nga QKK, ashtu si edhe vullnetarizim në aktivitete të organizuara apo të mbështetura financiarisht nga QKK si festivale, javë filmi, etj.
  2. T’i sigurojë studentëve të degës “Regji filmi dhe Televizioni” që të marrin pjesë në aktiviteteve, workshop-e, leksione të hapura e trajnime nga ekspertë vendas e të huaj, si dhe të mundësojë bursa për studentët të cilët pranohen në shkollat më të njohura të filmit në Europë.
  3. Të shfrytëzohen mekanizmat administrative me qëllim që producentët të pranojnë studentët e Regjisë së Filmit dhe Televizionit në sheshet e xhirimit të filmave sipas një plani të parashtruar nga Dekanati i Fakultetit të Artit Skenik, si dhe kjo pjesëmarrje t’ju njihet studentëve në kredite praktike pune.
  4. Të sigurojë mbështetje financiare nga MK për zhvillimin e trajnimeve me tematikë “Less is more” dhe “First Cut Lab Balkans 2020” për studentët e Universitetit të Arteve, të përzgjedhura/ propozuara nga QKK.

Këto institucione do të krijojnë më shumë hapësira dhe mundësi për studentët, të cilët do të mund t'i shfrytëzojnë këto përvoja si përballje me tregun e punës dhe si provë për përgatitjen e tyre profesionale.

 

<<Kthehu - Tjetra>>