Broshura FAB

Fakulteti i Arteve të Bukura

Fakulteti i Arteve të Bukura (FAB) është pjesë përbërëse e Universitetit të Arteve Tiranë. Ai u themelua më 4 janar të vitit 1960 si Instituti i Arteve Figurative. Ai do të bëhej pjesë integrale e Institutit të Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) që prej vitit 1966, viti i themelimit të tij. Që nga ajo kohë ky Institucion i është përkushtuar edukimit të artistëve profesionistë nga një staf i përkushtuar specialistësh ndarë në dy grupe: krijues me një karrierë të shquar artistike dhe studiues të filozofisë e historisë së artit e çdo shkence tjetër që merret me fenomenet artistike dhe mësimdhënies.

Fakulteti ndodhet në Kompleksin e Godinave Universitare në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Mjediset e FAB përbëhen nga ambiente të ndryshme si atelie, laboratorë, salla leksioni ambiente administrative dhe hapësira e ekspozitave (Galeria FAB).

Qëllimi kryesor i Fakultetit të Arteve të Bukura është të njohë, mbështesë dhe zhvillojë inteligjencën vizuale individuale të studentit, të ndërtojë tek çdo student një mënyrë të të kuptuarit të arteve nëpërmjet informimit e qëndrimit kritik, e lidhur kjo me kontekstin e nevojave të tyre krijuese dhe intelektuale, të sigurojë nëpërmjet punës praktike në atelier dhe diskutimeve, burimet intelektuale dhe teknike që mundësojnë çdo student të përmbushë potencialin e tij krijues si një artist i ardhshëm profesionist, të sigurojë mësimdhënie cilësore dhe të promovojë një studim kritik, si dhe të mundësojë debate të vazhdueshëm të cilët i shërbejnë studentëve për të dialoguar dhe artikuluar në mënyrë profesionale. Qëllim tjetër primar i FAB është njohja e tregut të punës, dhe si rrjedhojë e kësaj të pajisë çdo student me aftësitë e duhura për tu përshtatur me të pas përfundimit të studimeve.

Studentët në FAB pranohen nëse kalojnë me sukses konkursin e pranimit organizuar sipas legjislacionit në fuqi. Në konkurs studentët konkurrojnë për një programin studimor të përzgjedhur paraprakisht. Faza e parë e konkursit konsiston në testin artistik, ku kandidatët tregojnë aftësitë e tyre krijuese në mediumin e zgjedhur, (pikturë, vizatim, skulpturë). Në fazën e dytë të konkursit ato duhet të kryejnë një test teorik dhe paraqesin një dosje me punime artistike. Kjo fazë zhvillohet në formë interviste përballë një komisioni të përbërë nga drejtuesit e atelierëve ku studentët përveç testit dhe dosjes pasqyrojnë dhe interesat e tyre. Nëse shpallet fitues, studenti bëhet pjesë e një prej programeve të ofruara nga departamentet e FAB. Ata ndahen sipas përzgjedhjes paraprake dhe programeve të studimit, fillimisht në vitin e parë që është viti i Bazave të Përgjithshme dhe më pas tek ato në vitin e dytë të studimeve të specializuara, si p.sh. Pikturë Kavaleti, Grafikë, Multimedia, Tekstil dhe Modë, Pikturë Monumentale, Skulpturë, Qeramikë, Fotografi, etj. Këto programe studimi të organizuara si atelie, kanë mes tyre marrëdhënie konstruktive dhe interaktive, stimuluar prej lëndëve me zgjedhje, prej vitit të parë deri në përfundimin e studimeve. Si të tillë atelierët propozohen si një komunitet krijues, në të cilin studentët zhvillojnë si aftësitë e tyre, aq sa dhe shkëmbejnë eksperienca me njëri-tjetrin. Kjo formë bashkëpunimi gjen mbështetjen institucionale dhe përtej nivelit të programit të studimit në departamente, apo fakultete të tjera brenda Universitetit të Arteve.

Diplomat e studentëve në të dy nivelet e studimit paraqiten e mbrohen në përfundim të programit të studimit. Ato organizohen në formën e provimeve dhe promovohen më pas si ekspozita në Galerinë FAB apo në Galeri të tjera alternative, si dhe në hapësira publike në qytetin e Tiranës. Këto ekspozita promovojnë arritjet më të mirat të studentëve gjatë cikleve të studimit.

Fakulteti i Arteve të Bukura ofron programe studimi të ciklit të parë dhe ciklit të dytë në zbatim të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Programet e studimit janë të organizuara në module dhe të vlerësuara në kredite sipas Sistemit Evropian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS). Sasia minimale e krediteve të grumbulluara gjatë një viti akademik nga një student me kohë të plotë është 60 kredite. Në përfundim të programit të studimit studenti pajiset me Diplomën përkatëse. Studimet e ofruara në Fakultetin e Arteve të Bukura janë më kohë të plotë dhe zhvillohen në gjuhën shqipe.

FAB përbëhet nga tre departamente:

  • Departamenti i Arteve të Aplikuara,
  • Departamenti i Pikturës,
  • Departamenti i Skulpturës.

Në ciklin e parë të studimeve respektivisht këto departamente ofrojnë këto programe studimi:

Departamenti i Arteve të Aplikuara

  • Grafikë
  • Tekstil dhe Modë
  • Multimedia
  • Fotografi

Departamenti i Pikturës

  • Pikturë Kavaleti
  • Pikturë Monumentale

Departamenti i Skulpturës

  • Skulpturë
  • Qeramikë

Në përfundim të programeve të ciklit të parë të studimeve lëshohen diploma “Bachelor” në fushën e programit përkatës.

Programet e studimit të ciklit të dytë janë programe të një formimi karakterizues të formimit special që ofrojnë edhe fushën e mësuesisë. Këto programe janë:

Departamenti i Arteve të Aplikuara

  • “Master i Arteve” në Pikturë Grafike dhe Mësuesi
  • “Master i Arteve” në Pikturë Tekstili, Modë dhe Mësuesi
  • “Master i Arteve” në Pikturë Multimedia dhe Mësuesi

Departamenti i Pikturës

  • “Master i Arteve” në Pikturë Kavaleti dhe Mësuesi
  • “Master i Arteve” në Pikturë Monumentale dhe Mësuesi

Departamenti I Skulpturës

  • “Master i Arteve” në Skulpturë dhe Mësuesi
  • “Master i Arteve” në Skulpturë Qeramikë dhe Mësuesi

Programet e studimit të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe zgjatja normale e tyre është 2 vjet. Në përfundim të këtij cikli studimesh, lëshohet diplomë “Master i Arteve” në fushën e programit përkatës.