<

Fakulteti i Muzikës

Fillimet e Fakultetit të Muzikës datojnë më 15 janar të vitit 1962, me çeljen e Konservatorit Shtetëror të Tiranës. Katër vite më vonë, më 04.05.1966, me bashkimin e tre shkollave të larta artistike të pavarura, shkolla e Dramës “Aleksandër Moisiu”, shkolla e Arteve Pamore dhe Konservatori, u themelua Instituti i Lartë i Arteve.

Ashtu si edhe të dy degët e tjera, Dega e Muzikës në Institutin e Lartë të Arteve veproi që prej asaj kohe si një degë e pavarur.

Më 1989, të tri degët e Institutit të Lartë të Arteve u shndërruan në Fakultete dhe për rrjedhojë, dega ekzistuese e muzikës u transformua në Fakultetin e Muzikës, duke e ruajtur këtë cilësi edhe pas vitit 1991 kur Instituti i Lartë i Arteve mori emrin Akademia e Arteve, e me pas në vitin 2011 Universiteti i Arteve.

Struktura e Fakultetit të Muzikës është e organizuar në tre Departamente:

  1. Departamenti i Interpretimit (DI), me programet e studimit Piano, Harqe, Fizarmonikë Klasike, Kitarë, Instrumente Frymore.
  2. Departamenti Kompozicion - Muzikologji - Dirigjim - Pedagogji (KMDP), me programet e studimit Kompozicion, Muzikologji, Dirigjim dhe Pedagogji Muzikore.
  3. Departamenti i Kantos me programin e studimit Kanto.

Që prej vitit 2008, Fakulteti i Muzikës ka përshtatur strukturën e re universitare (sipas Kartës së Bolonjës) me dy cikle mësimore, Cikli i Parë me kohëzgjatje 3 vite akademike, në përfundim të të cilit studenti, sipas programit të ndjekur, merr diplomë në Bachelor dhe Cikli i Dytë me kohëzgjatje 2 vite akademike në përfundim të të cilit studenti, sipas programit të ndjekur, diplomohet në “Master i Arteve”, “Master Shkencor” ose “Master Profesional”.

Fakulteti i Muzikës zhvillon një jetë artistike aktive me pjesëmarrjen e gjerë të studentëve dhe pedagogëve. Skena e Universitetit të Arteve (Salla e Koncerteve) sot ka fituar një peshë të rëndësishme të përfaqësimit të arritjeve muzikore shqiptare.

Përveç studentëve dhe pedagogëve të këtij Fakulteti, janë me dhjetëra instrumentistët, këngëtarët dhe formacionet me muzikantë të ndryshëm të pranishëm në jetën artistike dhe akademike në Fakultetin e Muzikës dhe në Universitetin e Arteve.

Koncertet mbahen në Sallën e Madhe të Koncerteve dhe në sallat e tjera të Universitetit të Arteve, përgjatë të gjithë vitit akademik. Këtu përfshihen edhe koncertet me vepra të studentëve të klasës së kompozicionit.

Krahas formacioneve të ndryshme të Muzikës së Dhomës, Fakulteti i Muzikës ka Orkestrën Simfonike, Orkestrën Frymore, një "Big Band", dy Orkestra Harqesh dhe një Ansambël Fryme. Të gjitha këto formacione, krahas planit të detyruar mësimor, mbajnë koncerte sipas një programi të përcaktuar. Në të njëjtën mënyre edhe klasa e Operës dhe Kori.

Mjediset mësimore të Fakultetit të Muzikës janë të përqendruara në godinën kryesore të Universitetit të Arteve dhe në godinën që ndodhet në pjesën e pasme të Universitetit. Kjo godinë është e organizuar në klasa mësimi, studio individuale dhe laboratorë. Në të njëjtën godinë ndodhet edhe lektoriumi “Tonin Harapi”.

Krahas Sallës së Madhe të Koncerteve, në godinën qendrore të Fakultetit të Muzikës gjenden edhe sallat “Çesk Zadeja” dhe “Ibrahim Madhi”, të cilat shërbejnë jo vetëm si mjedise pune të orkestrave dhe ansambleve të muzikës së dhomës, por edhe për mbajtjen e koncerteve të muzikës së dhomës, ashtu si edhe për dhe organizimin e seminareve, workshop-eve, masterclass-eve, etj.

Një mjedis tjetër pune i rëndësishëm për Fakultetin e Muzikës është edhe Biblioteka Universitare, brenda së cilës ndodhet edhe Fonoteka (salla "Media Library").